23.7 C
Pristina
E enjte, 3 Korrik, 2025
Home Blog

2 Korriku, Dita Botërore e Gazetarëve Sportivë: Presidenti Agim Ademi: Ju jeni pjesë e historisë së futbollit kosovar

0

Prishtinë – Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë, më 2 korrik, Agim Ademi, Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka përkujtuar rolin e rëndësishëm të gazetarisë sportive në zhvillimin dhe promovimin e sportit, veçanërisht futbollit në Kosovë.

Në një mesazh të veçantë, Ademi thekson se futbolli është më shumë se një lojë është pasion dhe identitet për shumë njerëz, dhe gazetaria sportive është ura që lidh tifozët me fushën e lojës. Ai nënvizon përkushtimin e gazetarëve për të sjellë në çdo shtëpi emocione dhe dokumentimin e sukseseve dhe sfidave të sportistëve.

Ademi shpreh mirënjohje për punën e palodhur të gazetarëve, shpesh në kushte të vështira, dhe i inkurajon ata të qëndrojnë besnikë ndaj etikës profesionale, duke shmangur senzacionet që dëmtojnë imazhin e sportit dhe gazetarisë.

“Gazetaria sportive nuk është thjesht informim, por edhe përgjegjësi,” thotë Ademi, duke e konsideruar gazetarinë si partner të rëndësishëm në misionin për rritjen e futbollit në Kosovë.

Në përfundim, ai uron të gjithë gazetarët sportivë me shëndet, suksese dhe frymëzim të vazhdueshëm në punën e tyre.

FSHF “përplaset” me ministrinë, kërkon të mos miratohet ligji për sportin

Në mes të kësaj jave, të gjithë krerët e futbollit shqiptar u mblodhën në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të mbajtur në Shtëpinë e Futbollit për të analizuar se çfarë është bërë dhe çfarë pritet për sezonin e ri, midis objektivave financiarë dhe sportivë, pa harruar betejat ligjore me shtetin, që lidhen me Ligjin për Sponsorizimet apo edhe që lidhen me drejtësinë sportive dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.

I kryesuar nga Presidenti Duka, takimi filloi me një fjalim nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.

“Kongresi është një moment i rëndësishëm për reflektim, ekuilibër dhe sigurisht një vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit shqiptar. Jam i lumtur që së bashku me Presidentin Duka planifikojmë të krijojmë klasa sportive futbolli në një nga shkollat ​​e reja në Durrës, “Benardina Qerraxhia”. Gjithashtu planifikojmë të zhvillojmë shkollën e stërvitjes sportive “Loro Boriçi”.

Ndërkohë, pas saj, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit shfrytëzoi praninë e Ministres së Sportit për t’i kërkuar edhe një herë të reflektojë mbi ndryshimet e reja në ligjin e sportit dhe KAS-in shqiptar.

“Dje, Ministria e Arsimit dhe Sportit propozoi në Komisionin Parlamentar “Ndryshimin e Ligjit të Sportit”, pa dijeninë e askujt të interesuar për sportin dhe me kundërshtimet argumentuese të ekspertëve tanë. Qëllimi i tij është të krijojë një arbitrazh sportiv klientelist, tërësisht jo të pavarur dhe jo profesional. Në emër të organizatës më të madhe sportive në vend, i bëj thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Komisionit Parlamentar dhe Asamblesë Kombëtare të mendojnë; të mos votojnë për një ligj të tillë, por të bashkëpunojnë me të gjitha organizatat sportive dhe grupet e interesit për të dalë me një paketë ligjore që i shërben sportit.

Qoftë në vendimet për pranimin e anëtarëve të rinj apo në komitetet e brendshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, lajmi i mirë për klubet është rritja prej 30% e përfitimeve financiare, ndërsa në fund, komuniteti i futbollit ka marrë një vendim të paprecedentë.

“Ne u detyruam të kërkonim mbështetje nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së dhe propozuam këtë vendim. Të miratojmë pezullimin e pacaktuar të të gjitha marrëdhënieve ligjore me KOKSH-in deri në rivendosjen e situatës së lirisë.”

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës duhet të zbatohet plotësisht dhe KKA duhet të veprojë në përputhje me statutet e veta dhe standardet ndërkombëtare të vetëqeverisjes në sport. E dyta është të mbështesë Komitetin Ekzekutiv dhe Sekretariatin e Shoqatës Shqiptare të Futbollit në të gjitha përpjekjet ligjore publike për të krijuar një shtet të lirë brenda KKA-së dhe për t’i dhënë fund atmosferës arbitrare në të cilën organizata zhvillon aktivitetet e saj”, thuhet në deklaratë. avokat Envi Hicka.

Sermaxhaj: Miqësoret në Estoni, test për lojtaret e reja para “play-off”-it ndaj Turqisë

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka zhvilluar sot stërvitje në Kampin Nacional në Hajvali para udhëtimit në Talin, ku do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore kundër Estonisë, më 28 qershor dhe më 1 korrik.

Këto ndeshje do të shërbejnë si fazë testuese para përballjeve të “play off”-it të Ligës së Kombeve, ku Dardanet për kundërshtar do ta kenë Turqinë.

Përzgjedhësi i Kombëtares, Sami Sermaxhaj, ka theksuar se datat e ndeshjeve nuk janë të përshtatshme për Kosovën, për shkak të përfundimit të kampionatit, por thekson se respektohen datat e UEFA-s dhe se ky grumbullim është i vlefshëm për të testuar lojtaret e reja.

“Këto data nuk janë të përshtatshme, pasi tek ne ka përfunduar kampionati po thuajse që dy muaj dhe lojtaret nuk vijnë në formën më të mirë, por këto janë data të UEFA-s dhe ne i respektojmë. Estonia dhe shtetet skandinave janë në kampionat e sipër dhe ndoshta në formën më të mirë, mirëpo janë dy ndeshje testuese dhe ideja kryesore është t’i testojmë disa lojtare të reja që nuk kemi pasur mundësi t’i provojmë në ndeshjet zyrtare dhe të shohim se cila prej tyre mund të na shërbejë për ndeshjet e ‘play-off’-it në muajin tetor. Katër lojtare për shkaqe shëndetësore nuk kanë mundur të bashkohen, disa të tjera për shkak të obligimeve shkollore dhe disa për shkak të obligimeve të punës, mirëpo ne kemi zgjedhur lojtaret që mendojmë se janë potencial dhe perspektivë për të ardhmen. 60-70 përqind e formacionit bazë nuk është në këtë grumbullim, por ne do të shkojmë atje që ta përfaqësojmë vendin në mënyrën më të mirë të mundshme me këto lojtare që i kemi në dispozicion. Estonia është një ekip me mentalitet shumë bashkëveprues dhe funksionojnë si grup. Nuk ësht ekip i ngjashëm me Turqinë, por ideja jonë është të nxjerrim individët që do të na shërbejnë me Turqinë, pasi ndaj këtij kundërshtari në tetor duhet t’i qasemi lojs edhe me sistem tjetër, por edhe me forca tjera”, tha Sermaxhaj.

Sulmuesja Kaltrina Biqkaj e vlerësoi grumbullimin si një mundësi të mirë për të testuar ekipin dhe për të përgatitur sfidat që e presin në vjeshtë.

“Ka shumë lojtare të reja për këto dy miqësore, pasi trajneri kryesisht ka marrë lojtare për t’i testuar, por jemi edhe disa lojtare nga ekipi bazë. Janë dy ndeshje testuese, të cilat besoj se do të na shërbejnë shumë mirë, sidomos për ta parë gjendjen e ekipit, por edhe si paralojë për ndeshjet e ‘play-off’-it kundër Turqisë. Edhe në të kaluarën kemi luajtur miqësore me Estoninë dhe kryesisht kemi korrur fitore, por kësaj radhe e kemi një miks të ekipit, andaj shpresoj të komponohemi dhe të kemi rezultat të mirë”, tha ajo.

Ndërkohë, futbollistja e re Krenare Kelmendi, e cila është ftuar për herë të parë në Kombëtaren A, shprehet e emocionuar për mundësinë dhe vlerësimin që ka marrë, ndonëse nuk do të udhëtojë në Estoni për shkak të angazhimeve shkollore.

“Është hera e parë që jam pjesë e Kombëtares A dhe po ndihem shumë mirë dhe e vlerësuar duke pasur parasysh moshën time. Dje e kishim ndeshjen testuese mes dy ekipeve të Kombëtares U17, aty nuk kam qenë ndoshta në maksimumin tim, por paraqitja ime i ka rënë në sy edhe trajnerit dhe për këtë arsye edhe më ka ftuar. Kësaj radhe për shkak të obligimeve shkollore nuk do të mund të udhëtoj me kombëtaren në Estoni, por shpresoj se në të ardhmen sërish do të jem e ftuar”, tha ajo.

Ekspedita e Dardaneve udhëton nesër drejt Talinit, ku atje do t’i bashkohen edhe disa prej futbollisteve që luajnë jashtë vendit, derisa para ndeshjes që zhvillohet të shtunën, do të kryejë edhe një seancë stërvitore.

Foda zbulon pse refuzoi ofertën milionëshe

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka zbuluar arsyen pse refuzoi një ofertë fitimprurëse nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Foda në një intervistë të gjatë dhënë për KOHËN të mërkurën, e cila do të transmetohet e plotë në emisionin Sporti TOTAL të KTV-së, të dielën nga ora 22:15, ka pranuar se ka pasur ofertë për të marrë drejtimin e një klubi arab.

Por ka theksuar se ka plane të mëdha me Kosovën.

Foda me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) ka kontratë deri më 30 nëntor të vitit 2025.

Vazhdimi i kontratës do të varet nga rezultatet e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

“Nuk dua të flasë tash për Al Wahdan. Për mua është me rëndësi kontrata që kam me Federatën e Kosovës deri më 30 nëntor 2025. Nëse kualifikohemi në Botëror vazhdohet kontrata deri më 30 qershor 2026. Kjo është për mua me rëndësi. Ne në vitin e fundit kemi zhvilluar diçka me lojtarët, me federatën. Janë kualifikimet për Botëror para derës. Kemi mundësi të kualifikohemi në Botëror. Për këtë ka qenë me rëndësi për mua këtë kontratë të vlefshme ta përmbushi. Ndihem shumë mirë këtu në Kosovë, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të mirë. Jemi pranuar mirë. Për këtë kam vendosur të mbetem tutje në Kosovë”, ka thënë Foda për KOHËN të mërkurën.

Ai thotë se ka ndier përgjegjësi ndaj lojtarëve dhe Federatës për të vazhduar punën te Kosova.

“Pas dy muajsh e kemi ndeshjen e parë në Zvicër, në eliminatoret për Botëror. Është shumë me rëndësi që t’iu përmbahesh kontratave, dhe përgjegjësitë që i ke si trajner. Por, ka normalisht interesim dhe oferta kur je i suksesshëm. Kështu është biznesi i futbollit”, ka shtuar Foda.

59-vjeçari, Foda e mori drejtimin e Kosovës në shkurt të vitit 2024.

Nën drejtimin e Fodas, Kosova i ka shënuar nëntë fitore, ndërsa ka edhe katër humbje. Një humbje e ka me rezultat zyrtar ndaj Rumanisë. Dy fitoret më të rëndësishme janë ndaj Islandës në plejofin e Ligës së Kombeve. Falë dy fitoreve, Kosova edicionin e ardhshëm do të paraqitet për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Foda ka folur edhe për takimin që pati me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, në Vjenë. Ai ka theksuar se me presidentin Ademi kanë diskutuar rreth së ardhmes së Kosovës.

“Flas shumë shpesh me presidentin, është shumë normale. Në radhë të parë jam trajner i përfaqësueses A të Kosovës, por për mua personalisht është me rëndësi që në përgjithësi në futbollin e Kosovës të zhvillohen gjërat më tutje. Kemi shikim për të tërësinë e madhe. Angazhohemi pos me përfaqësuesen A, edhe me ekipet e të rinjve U21 dhe U19. Për mua është me rëndësi që së bashku këtu të krijojmë një ide të lojës, identitet për çfarë dëshiron të qëndrojë futbolli kosovar. Ka shumë tema për të cilat flas rregullisht me presidentin. E në këtë bisedë në Vjenë ka qenë edhe për të ardhmen. Çfarë duam të zhvillojmë tutje ne këtu në Federatën e Kosovës së bashku”, ka theksuar tekniku gjerman.

Prej shtatorit, për Kosovën fillojnë kualifikimet për Botërorin 2026. Ndeshjen e parë e ka më 5 shtator ndaj Zvicrës në udhëtim. Më 8 shtator e pret Suedinë në Prishtinë. Në grupin B është edhe Sllovenia.

Për gjasat e Kosovës për kualifikim historik në Botëror në një grup me Zvicrën, Suedinë e Slloveninë, se kush është lider te Kosova, se çfarë mendimi ka për Granit Xhakën e Ardon Jasharin dhe kush do të jenë prurjet e reja, do t’i mësoni gjatë intervistës që do të transmetohet në mbrëmjen e së dielës në Kohavision.

Hadërgjonaj hoqi dorë nga transferimi në Iran

Mbrojtësi i Alanyasporit, Florent Hadërgjonaj, ka vendosur të qëndrojë në Turqi. Hadërgjonaj ishte afër transferimit te klubi nga Irani, Persepolis. Por Hadërgjonaj për shkak të luftës mes Iranit dhe Izraelit e ka refuzuar kalimin te Persepolisi.

Hadërgjonaj me Alanyasporin ka kontratë deri në fund të këtij muaji. Ai së shpejti pritet ta rinovojë kontratën me Alanyasporin edhe për dy vjet të tjerë.

Kështu ka raportuar të martën mediumi turk “lidergazete”.

Tek Alanyaspori luan edhe qendërmbrojtësi Fidan Aliti.

30-vjeçari Hadërgjonaj iu bashkua Alanyasporit në verën e vitit 2023 nga Kasimpasha.

Ka luajtur edhe në Angli, Gjermani dhe Zvicër.

Reprezentuesi i Kosovës, Hadërgjonaj, në edicionin e kaluar në 37 ndeshjet e zhvilluara realizoi pesë gola dhe bëri pesë asistime.

Franco Foda konfirmon qëndrimin te Kosova: Unë dhe ekipi im duam të arrijmë diçka

Në Arabinë Saudite, futbollistët dhe trajnerët profesionistë janë të njohur për pagat marramendëse. Tani edhe Franco Foda ka marrë një ofertë nga shkretëtira. Çfarë do të bëjë ish-trajneri i Sturm Grazit pas ofertës shumëmilionëshe nga Al Wahda?

Për mediat në Arabinë Saudite, praktikisht, ishte punë e kryer. “Franco Foda e merr drejtimin e klubit Al Wahda nga Abu-Dhabi, kontrata është gati për nënshkrim”, ishte titulli i një gazete arabe, shkruan gazeta austriake “Krone”.

Por, arabët nuk po lëvizin aq shpejt. Në fund të fundit, ish-trajneri i Sturm Grazit, ka ende kontratë me Kosovën.

“Franco Foda e injoron joshjen nga shkretëtira”, është titulli i gazetës së madhe austriake “Laola 1”.

Tutje, gazeta austriake ka shkruar se Foda e ka refuzuar një ofertë fitimprurëse nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Foda e ka konfirmuar qëndrimin e tij te Kosova.

“Udhëtimi ynë nuk ka mbaruar ende. Unë dhe ekipi im duam të arrijmë diçka”, citohet të ketë thënë ish-trajneri i Sturm Grazit për gazetën “Krone”. Me Sturm Grazin ka fituar titullin dhe Kupën e Austrisë.

Trajneri gjerman Franco Foda, e kishte udhëhequr me sukses Austrinë nga viti 2017 deri në vitin 2022. Nën drejtimin e Fodas, Austria luajti në Kampionatin Evropian të vitit 2021.

Al Wahda, ekip me bazë në Abu-Dhabi, është prej ekipeve më të suksesshme në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në disa media arabe është bërë e ditur se Al Wahda është klubi i vetëm aktualisht pa trajner.

59-vjeçari, Foda, e mori drejtimin e Kosovës në shkurt të vitit 2024 dhe ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka shënuar ngritje nën drejtimin e trajnerit gjerman.

Kosova nën drejtimin e Fodas i ka shënuar nëntë fitore, ndërsa ka edhe katër humbje. Një humbje e ka me rezultat zyrtar ndaj Rumanisë. Dy fitoret më të rëndësishme janë ndaj Islandës në plejofin e Ligës së Kombeve. Falë dy fitoreve, Kosova, edicionin e ardhshëm do të paraqitet për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Krahas rezultateve pozitive, me Fodan selektor, janë afruar edhe shumë lojtarë të rinj. Së fundi, për Kosovën ka pranuar të paraqitet Veldin Hoxha.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, për KOHËN, të enjten, tha se Foda do të mbetet trajner i Kosovës.

“Ishte një bisedë normale. Biseduam për ndeshjet e radhës. Nuk ka pasur diçka. Ai nuk ka thënë asnjëherë që do të shkojë. Thjesht ka pasur një ofertë shumë të mirë”, tha Ademi për KOHËN të mërkurën.

Prej shtatorit, për Kosovën fillojnë kualifikimet për Botërorin 2026. Ndeshjen e parë e ka më 5 shtator ndaj Zvicrës në udhëtim. Më 8 shtator e pret Suedinë në Prishtinë. Në grupin B është edhe Sllovenia.

Kosova e natyralizon peshëngritësin iranian, ish-kampion olimpik

Ish-kampioni olimpik dhe botëror në peshëngritje, iraniani Kianoush Rostami, do të përfaqësojë Kosovën. Shtangisti 33-vjeçar është pajisur me pasaportën e Kosovës dhe tashmë është gati për të konkurruar për përfaqësuesen dardane.

Lajmin e ka dhënë vetë Astrit Hasani, presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, njëkohësisht edhe president i Federatës së Kosovës.

Gjatë një komunikimi në podkastin “Sportfolio” në Radio Dukagjini, Hasani ka njoftuar se që prej datës 2 korrik të këtij viti, iraniani Rostami do të garojë për flamurin kosovar.

“Një lajm tjetër i mirë për Kosovën është se ish-kampioni olimpik Kianoush Rostami nga Irani ka pranuar që të garojë për ne, duke nisur 2 korriku i këtij viti. Rostami do të marrë pjesë për Kosovën në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në Norvegji dhe ne presim që të fitojmë medalje botërore. Me këtë rast dua të falënderoj presidenten e republikës, e cila në afat rekord i ka mundësuar marrjen e shtetësisë dhe tashmë ne e kemi dorëzuar pasaportën e Kosovës në Federatën Botërore”, shprehet fillimisht Hasani, teksa më tej shton:

“Federata e Iranit fillimisht ne premtoi që do ta nënshkruante në Bahrejn, por në momentin e fundit nuk e mbajti fjalën. Por tashmë Federata Botërore e ka marrë vendimin, pasi bordi ekzekutiv ka vendosur që duke nisur nga data 2 korrik 2025 Rostami është gatshëm për të përfaqësuar Kosovën”.

Ndërkohë, i pyetur nëse do të jetë problem mbërritja e peshëngritësit në Kosovë në një kohë kur lufte mes Izraelit dhe Iranit, kreu i federatës kosovare sqaron: “Gjithmonë ka alternativa dhe ne jemi në kontakt çdo ditë me peshëngritësin. Ai ka qenë në Kosovë edhe më herët dhe shumë shpejt pritet që të vijë në Kosovë për të përfaqësuar ekipin tonë”.

Kianoush Rostami, i cili më 23 korrik do të mbushë 34 vjeç, ka një palmares për t’u admiruar në karrierën e tij, edhe pse suksesi i tij i fundit në nivele të larta ndërkombëtare i përket vitit 2020, si kampion i Azisë.

Iraniani ka fituar medalje të artë olimpike në “Rio 2016” dhe argjend në “Londër 2012”.

Ai është shpallur dy herë kampion bote në vitet 2011 dhe 2014, si dhe një herë nënkampion në vitin 2015.

Presidenti i FFK-së konfirmon: Kampi Nacional inaugurohet në shtator të 2026-së

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka dhënë detaje konkrete mbi zhvillimet në ndërtimin e Kampit Nacional të Kosovës, një projekt kyç për të ardhmen e futbollit kosovar dhe një bazë moderne për zhvillimin e të gjitha ekipeve kombëtare.

“Në aspektin e infrastrukturës Kampi Nacional është prioritet. Por, paralelisht me kampin po vazhdojmë edhe me projektin çdo 45 ditë nga një fushë për klube. Kampi në Hajvali është në proces të punës, në përfundim e sipër janë tribunat. Shumë shpejt do të përfundojë ndërtimi i vrazhdë dhe do të niset me ulëset, me ndarjen e zonave VIP etj. Bari aktual do të transferohet në njërën nga dy fushat tjera të kampit, derisa në stadiumin kryesor, që do të ketë diku rreth 15 mijë ulëse, do të jetë fusha hibride e ngjashme me atë në ‘Fadil Vokrri’”, tha Ademi në RTK.

Ademi konfirmoi se në këtë kompleks do të vendosen edhe zyrat e Departamentit të Edukimit dhe të sektorit teknik, duke përfshirë trajnerët dhe team-menaxherët e kombëtareve. Një sallë moderne për operacione dhe rigjenerim do të jetë pjesë përbërëse e kampit, për t’iu shërbyer lojtarëve në rast lëndimesh.

“Plani është që deri në fund të këtij viti të përfundojnë punimet e jashtme dhe më pas të kalojmë në ndërtimin e pjesës së brendshme, përfshirë hotelin dhe SPA-në. Inaugurimi i kampit pritet në shtatorin e vitit të ardhshëm me një ndeshje të yjeve botërore kundër veteranëve tanë”, tha Ademi.

Stadiumi i Kampit do të jetë i kategorisë 4+, çka e bën të përshtatshëm edhe për ndeshjet e Kombëtares A. Por Ademi paralajmëroi se Kombëtarja do të jetë prezente edhe në qytete të tjera në të ardhmen.

“Nëse përparon infrastruktura edhe në Gjakovë, Gjilan apo Pejë, atëherë Kombëtarja do të luajë në të gjitha këto qytete. Ajo është e të gjithëve”, nënvizoi presidenti i FFK-së. E sa i përket infrastrukturës, ai edhe një herë u shpreh i gatshëm për Memorandume Bashkëpunimi me të gjitha komunat për ndërtimin e fushave të futbollit, derisa tha se prioritet për vitin e ardhshëm do të jetë krijimi i kushteve më të mira në stadiumet e klubeve dhe vendosja e reflektorëve, në mënyrë që ndeshjet të zhvillohen në orët e përshtatshme të mbrëmjes.

Distria Krasniqi stoliset me medalje të argjendtë në Kampionatin Botëror

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Hungari.

Distria e nisi me fitore garën në raundin e 32-të, pasi ishte më superiore se kundërshtarja e saj braziliane, Jessica Pereira, të cilën e mposhti me ippon, pasi më parë mori edhe një yoko dhe një ëaza-ari.

Pasi mposhti kundërshtaren braziliane, Jessica Pereira, në raundin e dytë, Distria ishte superiore edhe ndaj Francine Echevarria të Puerto Ricos.

Edhe këtë ndeshje, kampionia jonë e fitoi me ippon, pasi Echevarria kishte bërë tri gabime.

Në çerekfinale, pejania ishte e papërmbajtshme ndaj hungarezes Reka Pupp, të cilën e mposhti me një ‘yuko’ dhe një ‘ëaza-ari’.

Në gjysmëfinale, Distria ishte e papërmbajtshme ndaj spanjolles Ariane Toro Soler, të cilën e mposhti pasi e detyroi t’i bëjë tri gabime.

Në luftën për medalje të artë, Krasniqi fatkeqësisht u mposht në finale nga xhudistja japoneze Uta Abe.

Tifozat Kuq e Zi u futën në stadiumin e Letonisë me simbolin e UÇK-së përkundër ndalesave në hyrje

Tifozat Kuq e Zi e kanë vazhduar përplasjen në distancë me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Tifozët zyrtarë të Kombëtares shqiptare janë ankuar sot përmes një postimi se FSHF-ja ka kërkuar nga zyrtarët e stadiumit në Letoni që të bëjnë kontrolle të detajuara ndaj tifozëve shqiptarë në hyrje të stadiumit në Riga, shkruan “Gazeta Express”.

Tifozat Kuq e Zi tutje thonë se “kjo mund të jetë koha e maskarenjve, por që atdheu mbetet i shqiptarëve.”

Sidoqoftë, ata u futën në stadium me simbole dhe me flamurin e UÇK-së mbrëmë në barazimin e Shqipërisë me Letoninë, 1:1.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e tifozëve zyrtarë të Kombëtares shqiptare. /Gazeta Express